Kuba ka votuar për legalizimin e martesave të gjinive të njëjta në një referendum kombëtar.
Rreth dy të tretat e popullsisë votuan për të miratuar reformat në një kod të ri të familjes, i cili do të lejojë gjithashtu shtatzënitë zëvendësuese dhe do t’u japë çifteve homoseksualë të drejtën për të birësuar fëmijë.
Ky shënon një moment të madh për Kubën, e cila pa homoseksualë të persekutuar dhe dërguar në kampe pune në vitet 1960 dhe 1970.
Megjithatë, ka pasur kundërshtim të konsiderueshëm ndaj reformave midis grupeve fetare dhe konservatorëve.
Qeveria e Kubës kishte mbështetur ndryshimin e ligjit dhe zhvilloi një fushatë mbarëkombëtare duke u kërkuar njerëzve ta miratonin atë.
Duke folur teksa votonte të dielën, presidenti i vendit, Miguel Díaz-Canel, tha se priste që shumica e popullsisë të votonte pro dhe se kodi i ri pasqyronte diversitetin e njerëzve, familjeve dhe besimeve.
Të hënën, rezultatet paraprake treguan një “prirje të pakthyeshme”, me 66 për qind të votave të numëruara deri më tani në favor të reformës, tha presidentja e këshillit zgjedhor Alina Balseiro në televizionin shtetëror, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Ligji kërkonte që të miratohej 50 për qind e miratimit të votuesve.
Reformat ishin kulmi i përpjekjeve të aktivistëve të të drejtave të homoseksualëve në Kubë.
Qëndrimet zyrtare ndaj homoseksualitetit në ishullin e drejtuar nga komunistët kanë ndryshuar gjatë dekadave të fundit falë përpjekjeve të vajzës së ish-udhëheqësit Raul Castro, Mariela.
Në pjesën e hershme të sundimit të liderit komunist Fidel Castro pas revolucionit të vitit 1959, burrat dhe gratë homoseksuale u dërguan në kampe pune për “riedukim” të supozuar.
Pjesë të opozitës gjithashtu bënë fushatë për një votë “jo”, duke u kërkuar kubanezëve të shfrytëzonin një mundësi unike për t’i dhënë qeverisë komuniste të vendit një humbje në votime.