Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në ceremoninë me rastin e 23 vjetorit të masakrës së Reçakut theksoi se janë të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të kësaj masakre që ka ndodhur dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive. Ai tha se sikur atëherë që është shprehur presidenti Clinton edhe tash vërteton se masakra e Reçakut ishte një akt vrarës dhe i qëllimshëm që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës.
Ambasadori Hovenier theksoi se askush nuk duhet të harrojë se çfarë ka ndodhur në Reçak dhe SHBA-të dhe aleatët u ngritën për mbrojtjen e popullit të Kosovës, raporton Telegrafi, përcjell FolDrejt.com.
“Ne besojmë se të gjithë popujt meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri. Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të kësaj masakre që ka ndodhur këtu dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive.
Dëshiroj të jem i qartë për përkushtimin e ShBA ndaj të vërtetës. Siç ka thanë presidenti Clinton atëherë dhe vërtetojmë sërish tani ky ishte një akt vrasës dhe i qëllimshëm që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”, tha ambasadori.
Ai më tej shtoi se mohimi i këtyre ngjarje dhe glorifikimi i krimeve të luftës ç’nderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe kthen prapa rajonin në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik.
“Paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës. Kjo është jetike për të siguruar që krimet e tilla mizore nuk ndodhin më kurrë. Por pranim i së vërtetës së kaluarës është vetëm hapi i parë i drejtësisë…”, tha ai.
Ambasadori amerikan rikujtoi se sot në përvjetorin e 23-të të masakrës së Reçakut është edhe ditëlindja e Martin Luter Kingut.
“Përderisa lëngonte në burg, ai shkroi për drejtësinë dhe pajtimin…ai thirri për veprim dhe kemi fuqinë për të promovuar ndryshimin pozitiv. Na bëri thirrje të mbajmë në mend, jo hakmarrjen po pajtimin”, tha Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan citoi edhe një pjesë të Deklaratës së pavarësisë së Kosovës “të zotuar për të përballur me trashëgimin e dhimbshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes… të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë” dhe këto tha se le të jenë fjalë që na prijnë të gjithëve.