Gjermania, Suedia dhe Polonia kanë njoftuar se do të dëbojnë secila nga një diplomat rus, si kundërpërgjigje ndaj Moskës, e cila javën e kaluar veproi njësoj me diplomatët nga të tria vendet anëtare të BE-së. Moska i dëboi diplomatët evropianë për pretendimet se kanë marrë pjesë në protesta të mbështetësve të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny. Gjermania ka thënë se personeli i Ambasadës së Gjermanisë në Moskë kishte vepruar bazuar në të drejtat që i siguron Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe se veprimi i Moskës ndaj diplomatëve evropianë nuk ishte i “arsyetuar në asnjë mënyrë”.
Megjithatë kjo lëvizje nuk duket se ka kënaqur eurodeputetët, të cilët kërkojnë që shefi i politikës së jashtme të BE, të japë dorëheqjen. Në letrën e bërë publike në mediat ndërkombëtare Riho Terras, një eurodeputet estonez nga Partia Popullore Evropiane së bashku me 50 deputetë të tjerë, mes të cilave edhe një eurodeputete me origjinë shqiptare, Arba Kokalari i kanë drejtuar një letër presidentes së komisionit evropian ku i kërkojnë të marrë masa drastike, në rast se Borrell nuj dorëzon vetë dorëheqjen.
Vendimi i eurodeputetëve erdhi pak kohë pasi Borrell, u kthye nga udhëtimi i tij në Moskë, ku gjatë vizitës së tij u dëbuan tre diplomatë evropianë.
Pas konferencës për shtyp të së Premtes midis Borrell dhe Lavrov, Terras hartoi një letër mjaft kritike drejtuar Ursula von der Leyen, duke i kërkuar asaj të “merrte masa nëse Z. Borrell nuk jep dorëheqjen me pëlqimin e tij”.