Gati 7 vjet më parë u votua projektligji që ndalon shkuarjen në konflikte të armatosura jashtë vendit, duke u konsideruar shkuarja në të tilla konflikte si vepër penale dhe e dënueshme nga 5 deri në 15 vjet heqje lirie.
Përgatiti: Ardit Mehmetaj, FolDrejt
Kjo nismë ishte ndermarrë pasi qindra shqiptarë nga Kosova kishin shkuar për të luftuar në Siri kundër regjimit famëkeq të Bashar al-Assadit
Atë kohë, ministri i brendshëm Bajram Rexhepi kishte thënë se ligji është në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.
“Kohët e fundit është vërejtur një trend i rritjes së individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit, të bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur, në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuar të parave apo privilegjeve të tjera. Dhe, të njëjtit, pas kalimit të kohës së caktuar kthehen në vend dhe bëhen bartës të aktivitetit propagandistik dhe nxitjes së të tjerëve për bashkim apo pjesëmarrje në forma të tilla. Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin për personat të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit joformal paraushtarak apo para policor jashtë territorit të Kosovës”, kishte thënë ai.
Kundër këtij ligji ishin disa deputetë e ndër ta edhe Gëzim kelmendi, i cili pat thënë se i njëjti ligj ka për qëllim jo vetëm pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë, por edhe izolimin kombëtar.
“Ky ligj është kundër kauzës sonë kombëtare, sepse incidentet që ndodhin pa dëshirën tonë të imponuara nga tjetër kush dhe nëse ky ligj miratohet, dashtë e pa dashtë i pasivizon qytetarët e Kosovës që të jenë pjesë e atyre konflikteve të drejta. Pra, qëllimi i këtij ligji është izolimi ynë kombëtar”, ka deklaruar atëherë Kelmendi.
Ndërsa, tash, shumë vite pas, në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës janë shtuar zërat për ndryshimin e këtij ligji, të cilat disa opinionistë i kanë parë si standarde të dyfishta pasi të njëjtit që ndaluan shkuarjen në Siri, trumbetojnë lejimin e shkuarjes në Ukrainë.
Në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, është Volodomir Zelenskyy, presidenti i këtij shteti ai që ka kërkuar ndihmë nga qytetarë të tjerë të botës që të luftojnë në krah të ukrainasve.
“Kushdo që dëshiron të bashkohet në mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës, mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve rusë të luftës”, është shprehur ai.
Ndërsa, vetëm 24 orë pas kësaj kërkese, filluan t’i përgjigjen disa shtetas të Britanisë së Madhe dhe Danimarkës, e cila lejoi shtetasit e saj që të bashkohen në brigadat ndërkombëtare që do të formoheshin për të luftuar kundër pushtimit rus ndaj Ukrainës. Këtë e kishte thënë kryeministrja e këtij vendi, Mette Frederiksen.
I gatshëm për t’i dërguar ushtrinë kosovare është shprehur edhe Ministri i Mbrotjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, i cili ka thënë se jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha kapacitetet e FSK-së për ndihmë.
“Nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme”, ka thënë ai.
Këtë e kanë diskutuar edhe deputetët që janë pjesë e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës duke shprehur se ndryshimi i këtij ligji duhet të fillojë.
Është kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, i cili tha se jemi në rrethana të reja, andaj duhet ta shqyrtojmë këtë ligj dhe t’i eliminojmë këto pengesa.
“Jemi në rrethana të reja tash, dihet që këto janë lëvizje botërore, mund të ketë luftë edhe këtu, ka nis në Ukrainë po mundet edhe nga Serbia. Këtu nuk ka mendim, këtu duhet veprim dhe ne do ta shqyrtojmë dhe jemi duke diskutuar sesi t’i eliminojmë këto pengesa që i kemi qitë vetit pa menduar hiç”, tha ai.
I këtij mendimi ka qenë edhe Hisen Berisha i cili ka bërë thirrje që ky ligj të ndryshohet.
“Duhet që ky ligj të rishikohet dhe duhet të ndryshohet. Kosova ka me çka t’i ofrohet Ukrainës, aleancat në luftëra na kanë sjell partneritete në paqe, për shembull, përvoja me Kroacinë. Kosova ka pas atje një njësi e cila është quajtur “Brigada e Kosovës”, që ka qenë me flamur tonin, madje edhe në Bosnje”, tha ai.
Por, shtetasit e Kosovës nuk mund të marrin pjesë edhe nëse shprehin dëshirë për shkuarje në Ukrainë sepse është pikërisht ligji i cili ua ndalon, e këtë e potencon edhe avokati Saimir Morina, i cili i kontaktuar nga redaksia e FolDrejt ka thënë se: “Kosovarët e kanë të ndaluar që të bashkohen në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit!”
“Të gjithë shtetasit e Kosovës, e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në konflikte jashtë territorit të vendit tonë, e këtë e them duke pasur për bazë Ligjin Nr. 05/L-002, për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, i cili ka hyrë në fuqi më 25 mars 2015. Më qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare, ky ligj përcakton veprën penale të bashkimit apo pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ai tutje shprehet se: “Ky ligj zbatohet ndaj çdo personi i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk zbatohet ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë shtetësinë e shtetit të huaj, dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre, ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu nuk mund të zbatohet edhe për strukturat e sektorit të sigurisë të Republikës së Kosovës, të cilat në bazë të ligjit veprojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.
Tutje avokati Morina thekson se: “Sanksionet penale për shkelësit e këtij ligji variojnë nga 3 muaj deri në 15 vite, sepse një pjesëmarrje e tillë konsiderohet vepër penale në përputhshmëri me Kodin e Procedurës Penale, respektivish nenin 22 të tij. Bashkimi në konflikte të armatosura është i ndaluar në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni, në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për bashkim të tillë, apo ka bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren tërësisht apo pjesërisht për të kryer veprën penale të përcaktuar në ligjin në fuq, mund të dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite. Përveç dënimi është e paraparë edhe sanksioni përmes konfiskimit dhe sekuestrimi i pasurisë së përfituar me vepër penale”.
“Prandaj, në ketë stad duhet të kemi parasysh sa i përketë deklarimeve të bëra nga presidenti Putin, se mercenarët nga shtetet e ballkanit, veçanarisht nga Kosova janë duke marrë pjesë në konfliktin e armatosur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, ka thënë avokati Morina./FolDrejt/