Ndryshimet demografike në vendet perëndimore, prej kohësh janë duke u parë me shqetësim. Plakja e popullsisë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimet ekonomike – thonë njohësit e kësaj fushe. Ndër vendet e prekura nga dukuria e plakjes është edhe Gjermania, shkruan Fol Drejt.
“Bashkimi Evropian (BE) sikundër plot vende të tjera anembanë globit, pritet të përballen me plakjen e shpejtë të popullsisë gjatë këtij shekulli. Më shumë se 30% e popullsisë së BE-së pritet të jetë 65 vjeç ose më shumë, deri në vitin 2100” – shkruan Eurostat.
Sipas këtij raporti, deri në vitin 2021, çdo 100 persona në moshë pune, kishte 32 të moshuar. Deri në vitin 2100, kjo shifër pritet të arrijë në 57.
Gjermania është një ndër vendet evropiane që po përballet me këtë fenomen. Mosha mesatare në vitin 2021, në këtë vend ishte 45 vjeç, çka do të thotë se u rrit për pesë vjet më shumë krahasuar me vitin e bashkimit gjerman, 1990.
Nevoja për më shumë imigrantë, nevoja për më shumë krah pune
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka zhvilluar një sondazh me afro 30 mijë persona që duan të vijnë në Gjermani për arsye punësimi. Sipas të dhënave të këtij sondazhi, 74 për qind e pjesëmarrësve kishin diploma universitare.
Pjesa më e madhe apo 19 për qind vjen nga India – kryesisht specialistë të IT-së. Në vendin e dytë ndër vendet e origjinës është Kolumbia me 10 për qind, ku interes për të punuar në Gjermani kanë sidomos infermierë dhe personel sanitar. Në vendin e tretë vjen Turqia me 9 për qind, nga e cila kërkojnë të vijnë kryesisht zanatçinjtë dhe 70 për qind e atyre, që deklaruan se ishin të interesuar për të ardhur në Gjermani për të punuar janë meshkuj.
Përse në shëndetësi?
Ka shumë sektorë të cilët kanë nevojë për “gjak të ri”, por një ndër ata që është shpallur si prioritet i vendit, është ai i sektorit shëndetësor.
“Me një mungesë aktuale prej 40,000 vendesh të lira pune, Gjermania ka hapur kufijtë e saj dhe ka përqafuar infermierët e huaj për të forcuar sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor. Qeveria gjermane ka identifikuar rëndësinë e rekrutimit ndërkombëtar dhe ka caktuar një buxhet për të punësuar dhe integruar talentin e infermierëve të huaj. Me ndihmën dhe mbështetjen e agjencive të rekrutimit, mijëra infermierë kanë mbërritur në vend, duke krijuar një komunitet të larmishëm multikulturor infermieror. Vetëm në vitin 2019, 15.500 infermierë të huaj morën njohjen e kualifikimit gjerman, një numër i rritur me 49% në krahasim me vitin 2018” – shkruan Nuria Vila Clavell, duke i renditur me radhë disa prej arsyeve më të forta pse duhet zgjedhur Gjermaninë, në kuptimin e perspektivës së këtij profesioni.
Sipas Clavell:
- Kërkesa e lartë;
- Mundësitë për zhvillim në karrierë;
- Laramania e vendeve të punës;
- Përfitimet;
- Ambienti familjar.
Kërkesat e mëdha të tregut gjerman për mjekë dhe infermierë, kanë ndikuar edhe tek ne. Muaj më parë, nga Oda e Mjekëve të Kosovës u bë e ditur se nga Kosova, kanë ikur qindra mjek (173 deri më tani).
Nuk është vetëm shëndetësia
Viteve të fundit, edhe sektori i ndërtimtarisë në Gjermani, ka pasur nevojë për shumë fuqi punëtore. Vetëm në vitin 2017 mbi 1,000,000 vende pune në këtë sektorë, ishin të lira:
“Në fund të vitit të kaluar në Gjermani, 1,183,000 vende pune ishin bosh, e cila është 128,000 vende pune më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 83,000 më shumë se në tremujorin e kaluar”, shprehej asokohe eksperti i Institutit, Alexander Kubis.
Pesë vite më vonë, mediat gjermane raportojnë se vendi ka ende nevojë për punëtorë, sidomos fuqi punëtore të kualifikuar. Sipas këtyre mediave, qeveria gjermane planifikon të ndjekë shembullin e Kanadasë me sistemin e pikëve për të tërhequr me procedura të përshpejtuara punëtorë të kualifikuar. Një projekt i titulluar “Baza për emigrimin e punonjësve të specializuar nga vendet e treta”, veç është diskutuar. Kësisoj burokratët gjermanë duan t’i lehtësojnë procedurat e integrimit në shoqërinë gjermane, për të gjithë të huajt që tregojnë potencial në fushat ku kërkohet kualifikim, përkatësisht profesionalizëm./FolDrejt/