Kryeministri belg, Alexander De Croo, të hënën deklaroi se rritja e kostove të energjisë mund të sjellë vështirësi afatgjata për qytetarët e vendit në sezonet e ardhshme dimërore.
“Pesë deri në dhjetë dimrat e ardhshëm do të jenë të vështira”, deklaroi Alexander De Croo gjatë vizitës së tij në terminalin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në qytetin port perëndimor Zeebrugge, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
De Croo theksoi se situata në Evropë është e vështirë dhe se disa sektorë po përballen me probleme serioze për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.
Ai shtoi se qeveria e tij po monitoron në mënyrë aktive situatën, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes për situata të rënda.
Rritja e çmimeve të energjisë ka ndikuar në ekonominë belge, veçanërisht në sektorët që varen shumë nga to. Kapacitetet prodhuese të disa sektorëve raportohet se janë përgjysmuar. Një e katërta e gazit natyror të vendit përdoret për qëllime industriale.
Rusia ka kërcënuar se do të ulë dërgesat e gazit të saj në Evropë pasi shumë vende perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve ruse për shkak të luftës se saj në Ukrainë.
Bashkimi Evropian (BE) publikoi një plan për uljen e konsumit të gazit me 15 për qind midis gushtit dhe marsit për të ulur gradualisht kërkesën./FolDrejt/