Autoritetet egjiptiane kanë nisur një hetim për vdekjen e dy turistëve nga sulmet e peshkaqenëve, një incident që shkaktoi mbylljen e plazheve në brigjet e Detit të Kuq të Egjiptit.
Pamjet e filmuara gjatë një lundrimi detar treguan një grua 68-vjeçare australiane duke luftuar në ujë, e cila mori ngjyrë të kuqe nga gjaku në vendpushimin e Sahl Hasheed, pranë qytetit Hurghada, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Autenticiteti i videos nuk mund të verifikohej nga AA.
Një grua rumune rreth të 40-ve humbi jetën nga një sulm tjetër peshkaqeni në të njëjtën zonë.
Pas incidentit, Guvernatori i Detit të Kuq, gjeneralmajor Amr Hanafi, urdhëroi pezullimin e të gjitha aktiviteteve turistike pranë vendit të sulmeve të peshkaqenëve.
Sipas gazetës egjiptiane ‘Ahram’, ministri egjiptian i Mjedisit, Yasmine Fouad, urdhëroi një komitet të përbashkët specialistësh në protektoratet e Detit të Kuq dhe Shoqatën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit të Hurghada-s (HEPCA) për të “identifikuar arsyet dhe rrethanat pas sulmeve”.
Sulmet e peshkaqenëve kanë qenë relativisht të rralla në rajonin bregdetar të Detit të Kuq të Egjiptit vitet e fundit.
Në vitin 2020, një djalë i ri ukrainas humbi njërin krah dhe një udhërrëfyes egjiptian njërën këmbë nga sulmi i peshkaqenit.
Në vitin 2018, një peshkaqen vrau një turist çek në një plazh të Detit të Kuq. Një turist gjerman humbi jetën në një sulm të ngjashëm në vitin 2015.
Në vitin 2010, sulme të ndryshme të peshkaqenëve vranë një turist evropian dhe gjymtuan disa të tjerë në Sharm El-Sheikh në Gadishullin Sinai./FolDrejt/