Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj duhet të mbrohen.
Peskov tha gjithashtu se Moska po i ndjek me shqetësim trazirat në Kosovë, të cilat u përshkallëzuan të premten, kur njësitet speciale të policisë së Kosovës shkuan te ndërtesat e pushtetit lokal në veri të Kosovës, në mënyrë që kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet që ishin bojkotuar nga serbët, mund të hynin në to.
“Ne mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët. Ne besojmë se është e nevojshme të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”, u tha Peskov gazetarëve dhe shtoi se nuk duhet të ketë vend për “lëvizje provokuese”, raporton Reuters.
NATO njoftoi dje se do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të trupave të KFOR-it në 4500 dhe se do të vendosë një tjetër batalion në gatishmëri të lartë, ndërsa serbët vazhdojnë të protestojnë, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat që faktikisht i takojnë Kosovës, dhe rrjedhimisht kryetarëve të sapo zgjedhur atje, transmeton Fol Drejt.