Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se Rusia e kupton mjedisin në të cilin ndodhet Serbia dhe presionet me të cilat përballet, duke shtuar se Moska ka një marrëdhënie të veçantë me Beogradin.
“Ne e kuptojmë mjedisin në të cilin ndodhet Serbia. Mënyra më e mirë për të ndërtuar marrëdhënie është dialogu. Është shumë e vështirë për serbët sepse ata janë nën presion të vazhdueshëm. Ne kemi marrëdhënie të veçanta me Serbinë dhe një partneritet të veçantë,” tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Beogradi synon të zhvillojë bashkëpunimin me NATO-n, por me ruajtjen e neutralitetit ushtarak.
Ai shtoi se Rusia “vlerëson shumë” marrëdhëniet që ka me Serbinë dhe planifikon t’i zhvillojë ato më tej.