Qeveria e Serbisë ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për procesin e dialogut mes dy vendeve, duke thënë se përmes tyre, Kurti, “në mënyrën më të vrazhdë e ka shpallur të fundin e dialogut dhe ka shkatërruar gjitha arritjet e deritashme nga dialogu i zhvilluar në Bruksel”.
“Kërcënimet e Kurtit se, kushti për vazhdimin e dialogut është që Beogradi të njohë Kosovën, të njohë krimet e pretenduara në Kosovë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë po shkatërrojnë të ardhmen e dialogut dhe kompromisit, dhe në veçanti përmes pozicionit të tij se, nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është detyrimi kryesor i Prishtinën, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në një komunikatë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Më 22 mars, gjatë një debati për të ardhmen e dialogut, organizuar nga “Forum 2015”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se procesit të dialogut duhet bërë një rishikim dhe se ai mund të vazhdojë vetëm nëse respektohen katër parime.
“Duhet pranuar realiteti, duhet pranuar e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe i katërti duhet të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.