Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, ka anuluar një vizitë në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Mediat serbe citojnë të ketë thënë se ai e ka anuluar vizitën, pasi sipas tij, institucionet kosovare atij ia kanë ndaluar 80 përqind të planprogramit.
Ai u tha gazetarëve në Pasjan se vizita e tij u miratua plotësisht të mërkurën në orën 16:00, ndërsa rreth mesnatës i erdhi një email që e informonte se pjesa më e madhe e vizitës ishte e ndaluar.
“E shihni sa larg shkon Aljbin Kurti, tani po i godet qirinjtë dhe tortat e festës. Ai jo vetëm që më ndalon të shkoj në manastire në territorin e Kosovës, por tani më ndalon të marr pjesë në ceremonitë fetare. Le të merren vesh më parë në Prishtinë se çfarë emaili të më dërgojnë. A dërgon i pari Kurti, e i dyti Bisljimi, sepse padyshim ata janë gjithmonë nervozë kur duhet të vij në Kosovë dhe padyshim që nuk flenë sepse më dërgojnë gjithmonë emaila rreth mesnatës, pikërisht në kohën kur pushon gjithë bota e ndershme dhe normale“ – citohet të ketë thënë ai, shkruan Blic.rs./FolDrejt/