Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, erdhi në Zveçan për të pritur Krishtlindjen ortodokse.
“Të dashur zveçanas ja ku më keni që së bashku të festojmë kremtën më të madhe të kristianizmit Bozhiqin. Mirë po digjet dushkaja sot dhe kjo do të thotë se ky vit do të jetë i bereqetshëm për ne”, tha ai.
Me të ishte edhe deputeti i Kosovës, Ivan Todosijeviq, njeriu që për disa muaj ishte i paarritshëm për drejtësinë kosovare.
Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim për mohimin e Masakrës së Reçakut nga gjykata e shkallës së dytë, por që tani është i lirë pasi që Supremja e ka kthyer në rigjykim rastin.
Sipas njoftimit të zyrës së emisarit të Beogradit ai qëndron në Kosovë më 6 dhe 7 janar, kur shënohet nata dhe dita e Krishtlindjes sipas kalendarit Julian.
“Me rëndësi është që të jemi bashkë dhe pikërisht këtë porosi si dhe atë për harmoni e paqe e dëshiroj për të gjithë ne këtu në Kosovë e Metohi. Ju sjell dhe përshëndetjet e presidentit Aleksandar Vuçiq që festën ta pritni në paqe e shëndet të plotë”, ka thënë Petkoviq para qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
Pas Zveçanit, serbët festën e vazhduan në kodrën mbi Mitrovicë ku pas lufte ndërtuan një kishë të madhe.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës për disa herë radhazi muajt e kaluar i kishte refuzuar hyrjen në Kosovë Petar Petkoviqit, por i dhanë leje për të kremtuar këtë festë fetare.