Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq, i ka konsideruar “imazhe madhështore të harmonisë dhe unitetit serb”, protestat e sotme në Mitrovicë dhe Graçanicë.
Në Facebook Petkoviq ka shkruar se asnjë herë më parë si sot nuk ka pasur njerëz në protestat e serbe në Kosovë.
Sipas tij në Mitrovicë dhe Graçanicë janë mbledhur rreth dhjetë mijë njerëz, transmeton Paparaci.
“Faleminderit popullit tonë në Kosovë e Metohi që protestoi në mënyrë paqësore, që nuk iu drejtua provokimeve, por edhe që nuk deshi të hesht kur iu shkelen të drejtat elementare të njeriut, kur bashkëkombësit e tyre po i ngacmojnë dhe ngacmojnë nga një rrjet i vogël!”, shkroi ai në Facebook.
Serbët nga komunat e Shtërpcës, Kllokotit, Ranillugut, Novobërdës dhe Pasjanit, kanë protestuar sot në Graçanicë si dhe në Mitrovicë të Veriut për shkak të suspendimit të gjyqtares Ljiljana Stevanoviq dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.
Në protestën që u mbajt në sheshin “Car Lazar” në veri të Mitrovicës, protestuesve serbë u printe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Ai në një fjalim pas protestës ka thënë se të gjithë serbët e veriut do t’i bojkotojnë institucionet, pas suspendimit nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut.
“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë. Duam paqe. Dua të theksoj se për herë të parë nuk kemi arritur një marrëveshje me presidentin Aleksandar Vuçiq për tu larguar nga institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi kërkuar të njëjtën gjë, por ai ka kërkuar që mos ta bëjmë. Dua të theksojë se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke përfshirë policinë do të pezullojnë punën deri në kthimin e Liljana Stevanoviq”, është shprehur Rakiq.