Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” Petar Petkoviq ka mbajtur sot në Bruksel një takim pune me ambasadorë, përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa ka kërkuar tërheqje të menjëhershme të policisë nga pjesa veriore e Kosovës, duke thënë se kjo është zgjidhja e vetme për krizën, transmeton Fol Drejt.
Sipas mediave pro-pushtetit, Petkoviq në një prezantim dy orësh dhe diskutim të hapur, ua ka përcjellur diplomatëve evropian mesazhin se Aleksandër Vuçiq po bënë gjithçka për ta ruajtur paqen.
Zyrtarët serbë tash e një kohë po orvaten t’i mohojnë faktet të cilat dëshmojnë për involvim të drejtpërdrejtë të shtetit Serb në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Petkoviq, për më tepër, fajin ia ka hedhur Prishtinës zyrtare, përkatësisht Qeverisë Albin Kurti, duke e cilësuar si “rrënjën e problemeve”.
“Rruga e vetme përpara është përmes deeskalimit dhe tërheqjes së menjëhershme të policisë së Kosovës nga veriu, si dhe vazhdimit të dialogut dhe hapave konkretë drejt formimit të Unionit të Komunave Serbe”, citohet të ketë thënë Petkoviq.
Sipas raportimeve të mediave serbe, takimi i punës u mbajt në ambientet e Misionit të Republikës së Serbisë në Bashkimin Evropian./FolDrejt/