Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) së Kosovës ka pezulluar procesin e ndërtimit të inceneratorit të planifikuar të ndërtohej në qytetin e Ferizajt për djegien e mbi 100 mijë tonëve të mbeturinave në vit, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu tha se me mbeturinat janë marrë shumë si ministri dhe një pjesë të madhe të energjisë po e merr trajtimi tyre.
Ai tha se në Kosovë mbeturinat e pariciklueshme mbi 90 për qind deponohen, ndërsa për t’i arritur targetet evropiane, në vitin 2035 kjo duhet të bie nën 10 për qind, që është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Aliu tha se së fundmi befas një kompani ka thënë se ka marrë leje nga ministria për trajtim termik të mbeturinave dhe leje ndërtimore në komunën e Ferizajt, për të ndërtuar në këtë qytet një incenerator.
“E kam kuptuar që vërtetë në dhjetorin e vitit që shkoi ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incenerator në Varosh të Ferizajt e që nënkupton djegien e mbi 100 mijë tonë mbeturinash në vit dhe që duke njohur gjeografinë e vendit e kuptova që është shumë e vështirë të gjendet një lokacion i tillë në vendin tonë i cili nuk do të ketë ndikim tek qytetarët”, theksoi Aliu.
Ministri Aliu tha se pas vizitës së menjëhershme në terren ku planifikohej ndërtimi i inceneratorit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, ka vërejtur se standardi për ndërtimin e inceneratorit është që ai të ndërtohet rreth 3 mijë metra larg vendbanime gjë që nuk ishte kështu në terren, për shkak të afërsisë së shtëpive për më pak se 700 metra.
Ai potencoi tha se pas vlerësimeve e kanë dërguar rastin në auditim dhe më pas ka përfunduar si rast i pezulluar. Sipas tij, në Kosovë ende nuk ekziston ndonjë plan për prodhimin e energjisë elektrike me mbeturina, sa do që “si ide është mjaft interesante” dhe në vendet e rajonit ka projekte të tilla.