Kompania farmaceutike amerikane Pfizer ka ofruar t’i shesë Koresë së Veriut vaksinat kundër COVID-19 me çmimin e prodhimit.
Sipas “NK News”, Pfizer ka zgjeruar projektin e saj “Pajtimi për një botë më të shëndetshme”, i cili u lançua për të shitur barna dhe vaksina në baza jofitimprurëse në 45 vende me të ardhura të ulëta, përfshirë Korenë e Veriut, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Thuhet se projekti, nga i cili pritet të përfitojnë afërsisht 1.2 miliardë njerëz, mbulon mbi 500 barna, përfshirë ilaçe kimioterapie dhe antibiotikë të ndryshëm.
“Unë parashikoj se do të ishte shumë e shtrenjtë për koreano-veriorët të blejnë sasi të mëdha barnash dhe vaksinash. Disa mund t’i marrin vetëm në sasi të vogla”, tha eksperti për Korenë e Veriut, Peter Ward për NK News.
Ward deklaroi se Pfizer do të dëshirojë të shpallë çdo blerje për shkak të politikës së saj të transparencës, kështu që Koreja e Veriut do të ketë rezerva të konsiderueshme për blerjen e barnave nga një kompani amerikane si Pfizer.
Ekspertët argumentojnë se Koreja e Veriut ka infrastrukturën e nevojshme për të ruajtur dhe shpërndarë në mbarë vendin vaksinën AstraZeneca COVID-19, por vaksinat si Pfizer që kërkojnë kushte më të ftohta magazinimi mund të sfidojnë Qeverinë e Phenianit.
Koreja e Veriut njoftoi në maj 2022 se kushdo që vjedh ose shet furnizime mjekësore urgjente në tregun e zi do të përballet me dënimin me vdekje.
Pheniani ka refuzuar shumë oferta për vaksina dhe ilaçe gjatë gjithë pandemisë./FolDrejt/