Prodhuesi holandez i pajisjeve elektronike dhe mjekësore Philips njoftoi se do të shkurtojë 6.000 vende pune në mbarë botën gjatë dy viteve të ardhshme pasi ka regjistruar një humbje prej 1,6 miliard eurosh në vitin 2022, nga një fitim neto prej 3,3 miliardë euro vitin e mëparshëm.
Shkurtimet e reja të fuqisë punëtore, të përshkruara si “të vështira por të nevojshme”, u shtohen 4.000 shkurtimeve të vendeve të punës të njoftuara nga Philips në tetor, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Kompania me bazë në Amsterdam po përballet me tërheqjen e miliona ventilatorëve që janë përdorur për të lehtësuar vështirësitë në frymëmarrje gjatë gjumit. Vështirësi të tjera shkaktuan situata në Ukrainë dhe përhapja e koronavirusit në Kinë.
“Viti i kaluar ka qenë shumë i vështirë për Philips dhe aksionet tona, dhe ne po ndërmarrim hapa të vendosur për të përmirësuar biznesin dhe për të përshpejtuar urgjentisht performancën”, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë Roy Jakobs.
Ai ka theksuar se shkurtimet e vendeve të punës do të reduktojnë ndjeshëm kostot dhe do ta bëjnë Philips një “organizatë më të fokusuar”.
Kompania njoftoi se gjysma e shkurtimeve të shpallura të vendeve të punës do të jetë këtë vit, dhe gjysma tjetër do të realizohet deri në vitin 2025./FolDrejt/