Si çdo cikël që ka një fillim dhe një fund edhe futbolli i tillë është. Një nga momentet më të vështira për çdo lojtar padiskutim është vendimi për t’i dhënë “lamtumirën” futbollit të luajtur, teksa vendosin të varin këpucët në gozhdë.
Për një moment të tillë ka folur edhe ish-futbollisti i njohur i Premier League, Danny Murphy, i cili ka “rrënqethur” me rrëfimin e tij.
Në një intervistë për “Daily Mail”, ish-lojtari i Liverpool dhe Tottenham ka theksuar se jeta pas tërheqjes nga futbolli për të ka qenë një dramë e vërtetë, teksa arriti deri të drogohej dhe të luante bixhoz.
TËRHEQJA
“Më pëlqeu për dy vitet e para pasi u tërhoqa në 2013-ën: luajta golf, u shfaqa në TV dhe shkova me pushime me familjen time. Por ajo që ndodhi më pas më goditi menjëherë, si një goditje çekiçi.
Kur kuptova se nuk do të luaja më futboll në jetën time dhe se kisha humbur pjesën më të madhe të kursimeve të mia, rashë në depresion, diçka që nuk doja ta kuptoja në atë kohë.
Gjatë asaj periudhe të tmerrshme, që zgjati një vit, nuk bëra gjë tjetër veçse pija, merrja drogë dhe luaja bixhoz. Martesa ime u prish, u grinda me familjen dhe miqtë e mi dhe u izolova.
Dhe kështu fillova të dilja më shumë, duke vazhduar të pija dhe të luaja kumar. Ato që supozohej të ishin aktivitete për të më vënë në kontakt me njerëzit, në fakt më izoluan edhe më shumë. Dhe sigurisht problemet që po përpiqesha të harroja u kthyen edhe më të ngutshme mëngjesin tjetër.
Më është dashur të flisja me disa profesionistët dhe në një farë mënyre ndihem edhe me fat: e di që shumë ish-futbollistë të tjerë i kanë këto probleme prej vitesh, disa kanë tentuar edhe vetëvrasjen”. Diçka jo e lehtë për t’u zbuluar, por që Murphy ka dashur ta shpjegojë.
RRJETA E SIGURISË
Duke shtuar gjithashtu se lindin lloje të tjera problemesh. “Largimi i futbollit të privon edhe nga një rrjetë sigurie që e ke pasur gjithmonë. Kur je lojtar i Liverpool-it, Tottenham-it, kombëtares, ke shumë njerëz përreth që mund të të ndihmojnë.
A është dikush i sëmurë në shtëpi? Klubi ju dërgon një mjek. Keni nevojë për bileta për të shkuar në një koncert? Menaxheri do të kujdeset për këtë. Disa futbollistë kanë njerëz që merren edhe me gjëra si blerja e një makine ose rezervimi i pushimeve.
Kur largohesh nga futbolli, je shumë më pak në gjendje se dikush në moshën tënde të përballesh me gjërat normale që ndodhin në jetë, sepse deri në atë moment keni qenë të privilegjuar.
Dhe atëherë kur je futbollist, ditën e organizojnë të tjerët. E di kur të stërvitesh, kur të luash, çfarë të veshësh, çfarë të hash.
Të zgjohesh papritur në mëngjes dhe të duhet të gjesh diçka për t’u marrë dhe për t’u motivuar nuk është e lehtë. Dhe është mirë që ata që tërhiqen i dinë paraprakisht këto gjëra”, ka përfunduar ish-lojtari i njohur.