Ylber Pilku
Po bisedoja sot në telefon me një mikun tim, mjek i njohur infektolog. E njoftova para shumë viteve në Nju Jork, kurse tash jeton në Kaliforni. Ia sqarova situatën e rëndë me Koronavirusin në vendlindjen time (Dibër) dhe desha ta konsultoj se çka është më e dobishme në këto momente për Dibrën në situatën që ndodhet dhe këshillat e tij tua transmetoj bashkëqytetarëve të mi. Këshilla e tij e parë ishte izolimi, sikur këshilla e shumë mjekëve tjerë, kurse këshilla e dytë ishte aktiviteti i shtuar sportiv dhe fizik, sepse e forcon imunitetin dhe mundeson tejkalim më të lehtë të infektimit edhe nëse paraqitet.
Aktivitetin sportiv dhe fizik ai e rekomandon edhe për ruajtje të imunitetit “psiqik”, që është shumë me rëndësi në këto momente paniku dhe izolimi. Meqë ishin bërë gati gjashtë muaj që nuk jemi dëgjuar, e zgjatëm goxha bisedën. Interesohej për gjendjen e rëndë në Nju Jork, por edhe për gjendjen në Dibër e Maqedoni. Bisedë pas bisede, nuk e di si i erdhi rendi dhe i tregova që në fillim të paraqitjes së epidemisë një parti në Maqedoni kishte ide të angazhojë 10 mijë aktivistë të saj për të ndihmuar popullatën. Desh u çmend kur i thashë se ideja ishte për aktivistë të thjeshtë, që skan të kryer as shkollim e as përgatitje adekuate për tu përballë me epidemi.
Pyetja e parë e tij ishte nëse janë arrestuar ideologët partiakë të kësaj ideje? Nuk i besohej kur i tregova se jo që nuk janë arrestuar, por edhe janë në pushtet, kurse ideja i deshtoi falë reagimit të shpejtë të opozitës, mediumeve dhe opinionistëve të pavarur. Në çdo shtet normal, sipas tij, autorë të ideve të tilla do të arrestoheshin menjëherë nën akuzë për perhapje të epidemisë dhe rrezikim të shëndetit të qytetarëve.
Parashikimi i tij si infektolog ishte se po të ishte realizuar vërtetë ideja për “10 mijë aktivistë”, sot në Maqedoni do të kishim 200 deri 250 mijë njerëz të infektuar me Koronavirus dhe si shtet me vetëm 2 milion banorë do të ishim në vend të dytë në botë pas SHBA-ve. Zoti i paska ruajtur bashkëvendasit e tu, më tha ai duke porositur që ide të tilla asnjëherë të mos meren serioizisht.