Greva e pilotëve detyroi kompaninë ajrore gjermane Lufthansa të anulojë sot afër 800 fluturime, duke prekur rreth 130 mijë pasagjerë.
Greva filloi në orën 00:01 sipas kohës lokale të premten dhe do të vazhdojë deri në ora 23:59, thuhet në njoftimin e sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit (VC), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lufthansa u ka kërkuar pasagjerëve që të kontrollojnë orarin e fluturimeve të tyre përpara se të nisen për në aeroport dhe të kontaktojnë qendrën e thirrjeve për të bërë ri-rezervimin e biletave.
“Për shkak të grevës janë hapur vetëm disa sportele. Prandaj gjasat janë shumë të vogla që edhe atje t’u ofrohet ndonjë alternativë e menjëhershme”, thonë nga kompania.
Pothuajse të gjitha fluturimet e Lufthansa nga Frankfurti dhe Mynihu u anuluan të premten për shkak të grevës.
Kompania ajrore paralajmëroi se mund të ketë më shumë anulime ose vonesa të fluturimeve të shtunën dhe të dielën si rezultat i grevës.
Sindikata e pilotëve vendosi të hedhet në grevë pasi nuk u arrit marrëveshje me menaxhmentin të mërkurën.
“Lufthansa duhet të paraqesë një ofertë shumë më të mirë”, tha negociatori Marcel Groels në një deklaratë, duke shtuar se qëndrimet e menaxhmentit dhe sindikatës ishin “shumë larg” në këtë pikë.
Sipas tij, Komisioni i Marrëdhënieve Kolektive kërkon rritje pagash dhe rritje të mëtejshme në përputhje me inflacionin dhe strukturat konkurruese të pagave në nivel ndërkombëtar në të gjitha grupet e profesioneve./FolDrejt/