Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar mbi sukseset e radhës së pjesëtarëve të FSK-së, të cilët kësaj radhe korrën sukses në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, transmeton Fol Drejt.
Mehaj ka bërë të ditur se Major Bashkim Ademi dhe Kapiten Albana Kozniku diplomuan në një ceremoni solemne shtetërore të organizuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë.
“Major Bashkim Ademi nga data 03 Tetor 2022 deri më 07 Korrik 2023, ka ndjekur Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP), ndërsa Kapiten Albana Kozniku nga 06 Shkurt 2023 deri më 07 Korrik 2023, ka ndjekur Kursin e Karrierës për Kapiten (KKK).
Vlenë të theksohet që Major Bashkim Ademi njëkohësisht ka përfunduar me sukses Programin Master të Studimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë (Defence and Security Studies Master of Arts Program).”, njoftoi ministri Mehaj.
“Të dy pjesëtarët e FSK-së, përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore duke e prezentuar Kosovën, veçanërisht FSK-në në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në këto dy kurse kanë marrë pjesë rreth 120 oficerë, nga 18 shtete të ndryshme të botës.
Në këtë ceremoni solemne, ku prezent ishin krerët e shtetit dhe ushtrisë turke, përfshirë Presidentin Rexhep Taip Erdogan, mori pjesë edhe Atasheu Ushtarak i Republikës së Kosovës në Turqi, Kolonel Bekim Zejnullahu.
Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursi i Karrierës për Kapiten kanë për qëllim edukimin, trajnimin dhe zhvillimin e liderëve të së ardhmes. Oficer të aftë e kompetent për të kryer detyrat me përgjegjësi dhe për të udhëhequr me nder e besnikëri çdoherë.”, bëri të ditur Mehaj më tej./FolDrejt/