Shefi i misionit të ndihmës humanitare të Bashkimit Evropian (BE) në Sudan, Wim Fransen është plagosur me armë zjarri.
Në mediat belge thuhet se Fransen shtetas belg me detyrë në Sudan ku pati përleshje të armatosura u zhduk të dielën në kryeqytetin Khartoum ndërsa ditën e martë ai u gjet i plagosur, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Thuhet se plaga e Fransen është serioze por që nuk ka rrezik për jetën. Zyrtarët e BE-së, për arsye sigurie nuk kanë dhënë informacione rreth gjendjes së Fransen-it.
Pas fillimit të përleshjeve të armatosura, shtetasi irlandez Adrian O’Hara, ambasador i BE-së në Sudan është sulmuar në rezidencën e tij. U njoftua se gjendja e ambasadorit është e mirë dhe se ka vazhduar detyrën e tij.
Konflikti mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë në Sudan
Mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin Khartoum dhe në qytete tjera të Sudanit filluan përleshje të armatosura mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë. Mosmarrëveshja e përjetuar prej disa muajsh mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë për çështjen e reformës së sigurisë ushtarake që parashikon pjesëmarrjen e plotë të Forcës së Mbështetjes së Shpejtë në ushtri, u shndërrua në një konflikt të nxehtë mes dy forcave.
Ministria e Jashtme sudaneze njoftoi se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Këshillit të Sovranitetit dhe komandant i ushtrisë ka vendosur shpërbërjen e Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë që konfliktohen me ushtrinë, shpalljen e saj si forcë rebele kundër shtetit dhe se do të veprohej sipas këtij parimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka njoftuar se është rritur në 270 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve të armatosura që vazhdojnë në Sudan./FolDrejt/