Me një pjesë të madhe të planetit tashmë të “shfrytëzuar”, bota ka zgjedhje të vështira për të bërë mbi mënyrën e përdorimit të tokës në mënyrën më të qëndrueshme dhe efektive. Ky është mesazhi i 50 ekspertëve kryesorë se pse toka ka rëndësi në trajtimin e një sërë sfidash ekzistenciale. Zona të gjera toke po caktohen për plane madhështore për të luftuar ndryshimin e klimës dhe humbjen e natyrës.
Megjithatë, toka është gjithashtu e nevojshme për prodhimin e ushqimit dhe zbutjen e varfërisë. Shkencëtarët thonë se thjesht nuk ka tokë të mjaftueshme në planet për të trajtuar të gjitha këto gjëra menjëherë raporton gazetarja Helen Briggs e “BBC-së”. “Ne jetojmë në këtë planet të përdorur, ku e gjithë toka që madje konsiderohet e papërdorur apo e paprekur po ofron përfitime vërtet të rëndësishme për njerëzit,” tha profesoresha Ariane de Bremond nga Universiteti i Bernës.
“Nuk ka tokë të mjaftueshme për të bërë gjithçka në të njëjtën kohë dhe ne duhet ta njohim këtë dhe të gjejmë mënyra më të mira dhe kjo kërkon shumë negociata midis sektorëve të ndryshëm të shoqërisë dhe midis kombeve”. Punimi, i botuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”, përcakton pse toka ka rëndësi në një mori problemesh me të cilat përballet njerëzimi dhe u bën thirrje vendimmarrësve dhe palëve të interesuara të bëjnë më shumë për të adresuar keqkuptimet mbi përdorimin dhe qëndrueshmërinë e tokës. / abcnews.al