Të buzëqeshur dhe në një zë, kandidati për kryeministër të Kosovës Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë deklaruar se në parim kanë arritur marrëveshjen për të krijuar qeverinë e re. Kurti dhe Osmani nuk dhanë shumë detaje në lidhje me emrat dhe postet, por theksuan se dy partitë po punojnë për harmonizimin e programit, ndërsa qeveria do të jetë më e vogël se ajo që ka qenë, pasi do të ketë shkurtime në nivel ministrash dhe zv/ ministrash, ndërsa 30% do të jenë gra.
“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë” tha Osmani.
Ndërsa kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti theksoi se pasi ranë dakord për qeverisjen, dy partitë Vetëvendosja dhe LDK-ja do të ulen për të harmonizuar programet. Kurti theksoi se qeveria e re do të jetë më e vogël, ndërsa do të shkurtohet edhe numri i zv. ministrave. Kurti tha se nuk kanë biseduar në takimin e sotëm me Osmanin për ndarjen e posteve.
“Pazare politike keni parë me PAN-in, qeveria e re do të ketë transparencë. Natyrisht që Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia.
U dakorduam që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zv ministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret ne do të ju njoftojmë për emrat e përveçqë në qeverinë e ardhshme” deklaroi ai.