Ukrainasit po synojnë ta rikthejnë kontrollin në qytetin jugor të Khersonit, raporton Fol Drejt.
Së fundi disa shpërthime janë dëgjuar në qytetin jugor të Khersonit, ndërsa ushtarët ukrainas po përgatiten për një betejë të ashpër për të rimarrë nën kontroll portin strategjik në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
Sipas mediave ndërkombëtare, Rusia ka rritur numrin e banorëve të evakuuar nga zona e konfliktit dhe ka pranuar përkeqësimin e situatës në rajonin e Kherson-it. Të paktën 70,000 civilë janë zhvendosur tashmë nga qyteti i Khersonit, që ndodhet në rajonin me të njëjtin emër, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme.
Mediat pro-Kremlinit kanë njoftuar se trupat ruse e kanë zhvendosur komandën qendrore, 80 kilometra në juglindje dhe disa kanë marrë me vete statujat prej bronzi të komandantëve rusë të shekullit të 18-të.
Gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, njoftoi të premten se forcat ruse kanë trefishuar intensitetin e luftimeve në pjesë të caktuara të frontit, me deri 80 sulme në ditë.
Forcat ruse, sipas të dhënave ukrainase, aktualisht janë duke i përqendruar operacionet sulmuese në drejtim të qyteteve Bakhmut, Avdiivka dhe rajonit perëndimor të Donetskut./FolDrejt/