Një 32-vjeçare ka denoncuar në polici një burrë, për të cilin ka deklaruar se e ka dhunuar disa herë seksualisht në një motel në fshatin Koshare të Ferizajt.
Sinali raporton se rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur para tri javëve, kur i dyshuari e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në motelin e njëjtë ku e kishte dërguar edhe herë tjera.
Sinjali mëson se gruaja ka rrëfyer tmerrin e përjetuar para hetuesve policorë, duke thënë se ka vite që ajo dëshiron të ndahet nga i dyshuari, mirëpo i njëjti vazhdimisht e ka kërcënuar dhe nuk e ka lënë të largohet.
Bazuar në dëshminë e saj, pas tri vitesh në lidhje dashurie me të dyshuarin, ajo e kishte kuptuar që ai është i martuar. Si rrjedhojë ka kërkuar që të ndahet nga ai, por i dyshuari edhe për katër vite tjera me radhë e ka mbajtur me dhunë e kërcënime afër vetes.
Pasi gruaja ka vendosur që rastin ta denoncojë në polici, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunim’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Ferizaj pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.