Vaksinat kundër koronavirusit konsiderohen nga të gjithë si çelësi kryesor për t’i dhënë fund pandemisë që deri në këto momente i ka marrë jetën miliona personave në mbarë botën.
Që prej arritjes së vaksinave të para, e deri në ditët e para të prillit, në 165 vende të ndryshme të rruzullit tokësor janë aplikuar më shumë se 860 milionë doza vaksinë dhe megjithatë procesi nuk është i njëjtë kudo.
Me qëllimin për të vaksinuar pothuajse të gjithë të rriturit në Tokë, ky mund të konsiderohet si programi më i madh i vaksinimit në histori.
SHBA dhe Kina kanë administruar numrin më të lartë të dozave me respektivisht 198 milionë dhe 183 milionë. India renditet e treta me 117 milionë doza. E ndërsa pothuajse e gjithë Europa dhe vendet e Amerikës kanë nisur vaksinimin, disa vende në Afrikë ende nuk e kanë pasur fatin.
Vaksina e parë që u miratua nga Organizata Botërore e Shëndetit u prodhua nga Pfizer dhe BioNTech, që u ndoq më pas nga disa të tjera.
Në momentet që flasim vaksina AstraZeneca e prodhuar nga universiteti i Osfordit është aplikuar në 118 milionë banorë të Tokës, e ndjekur nga Pfizer në 81 milionë, Moderna 36 milionë dhe Sputnik V në 25 milionë.