Mona Juul, ambasadorja e Norvegjisë në Kombet e Bashkuara (OKB), vendi i cili mori presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KS-OKB) për muajin janar, tha se po shkurtohet koha në procesin e paqes Izrael-Palestinë, por ende nuk është vonë për zgjidhje, raporton AA, transmeton Fol Drejt.
Juul, në një konferencë për media në selinë e OKB-së, vlerësoi axhendën si kryesuese e KS-OKB-së.
Ajo tërhoqi vëmendjen se bota ka ende një axhendë “të zymtë” me probleme ende të pazgjidhura nga Siria në Jemen, nga Afganistani në Mianmar, megjithatë duke shtuar se do të ruajnë optimizmin e tyre dhe nuk do të ndalen së ndihmuari për zgjidhjen e problemeve.
Juul u pyet mbi procesin e Oslo-s që vendi i saj Norvegjia më parë ka kryer mbi zgjidhjen e çështjes Izrael-Palestinë dhe nëse është e mundshme tani paqja. “Po shkurtohet koha, por ende nuk është vonë për zgjidhje. Qoftë unë, qoftë shumë shtete, janë të mendimit se nuk ka alternativë për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete”, u përgjigj ajo.
Sipas saj, për shkak të çështjeve tjera në Lindjen e Mesme, çështja Izrael-Palestinë është lënë mënjanë, duke shprehur nevojën për t’u fokusuar më shumë në një zgjidhje paqësore me dy shtete.