Pyjet tropikale të Amazonës në Brazil përjetuan nivelin e saj më të keq të shpyllëzimit në muajin janar, me rreth 360 kilometra katrorë pyje të humbura, tregojnë të dhënat e publikuara të mërkurën nga Instituti kombëtar i kërkimit hapësinor të Brazilit (INPE).
Kjo nuk është rritja e parë nën drejtimin e presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili ka bërë thirrje për shtimin e minierave dhe bujqësisë komerciale në tokat e mbrojtura të pyjeve tropikale.
Në vitin 2021, Amazona e Brazilit pati vitin e saj më të keq në një dekadë. Shpyllëzimi u rrit me 29 për qind në 10.363 kilometra katrorë pyje të shkatërruara midis janarit dhe dhjetorit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Nga gushti 2020 deri në korrik 2021, pyjet tropikale humbën 13.200 kilometra katrorë bimësi, zona më e madhe që nga viti 2006.
Ambientalistët shprehin shqetësimet se nëse vazhdon me këtë trend, viti 2022 do të jetë një vit tjetër shkatërrues për Amazonën braziliane.
Që kur Bolsonaro mori detyrën në vitin 2019, parandalimi i shpyllëzimit në Brazil ka dështuar, ku shkalla e shpyllëzimit ka arritur në nivelin më të lartë në 12 vjet.
Megjithëse qeveria e Bolsonaros nëntorin e kaluar në Samitin e OKB-së për Klimën në Glasgow të Skocisë bëri përpjekje që të tregojë se po mbron Amazonën duke u zotuar t’i japë fund shpyllëzimit të paligjshëm deri në vitin 2028. Por, të dhënat tregojnë se nuk janë bërë përpjekje në këtë drejtim.
Sipas disa shkencëtarëve, në 36 vitet e fundit, rajoni ka humbur 17 për qind të vegjetacionit për shkak të shpyllëzimit. Brazili është vendi i shumicës së pyjeve më të mëdha tropikale në botë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se nëse 20 deri në 25 për qind e pyjeve shkatërrohen, kjo mund të kalojë pikën kritike, të thahet dhe do të ishte e pamundur të shpëtohet.