Shijak/ Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për tregtim të lëndëve eksplozive.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”.
Gjenden dhe sekuestrohen lëndët plasëse.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas transportonte lëndë eksplozive me qëllim tregtimin e tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-F. D., 44 vjeç, banues në Manzë, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“.
44-vjeçari u kap në flagrancë në Maminas, kur sapo kishte zbritur nga një automjet i transportit publik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e shpinës së të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 kallëpë lënde plasëse C4 dhe 5 kapsolla detonatore.
Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndët plasëse, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit F. D.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme./tch/