Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se aktualisht janë duke u zhvilluar bastisje në disa lokacione në veri, të gjitha të ndërlidhura me rastin e sulmit terrorist në Banjskë, shkruan Fol Drejt.
Rastin, sipas Telegrafit, e ka konfirmuar edhe Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po është duke u zhvilluar bastisje në veri në disa lokacione. Për momentin nuk ka të arrestuar”, ka thënë Elshani.
Tri ditë më parë, pas hetimeve, u gjetën armë, mjete eksploduese.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit mbet i vdekur polici Afrim Bunjaku. E në kundërpërgjigje nga ana e njësive speciale të PK-së, 3 terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Grupit të përbërë nga serbë kryesisht nga Kosova, i printe Milan Radojçiq, i cili e kaloi kufirin me dhjetëra të tjerë. Zëvendëskryetari i Listës Serbe edhe vetë e ka pranuar se ka qenë pjesë e këtij plani.
Ky akt, sipas një pjese të njohësve të zhvillimeve politike, e ka dëmtuar rëndë procesin e bisedimeve, me Prishtinën zyrtare e cila ka kërkuar me ngulm nga bashkësia ndërkombëtare që Serbia të sanksionohet./FolDrejt/