Edhe sot në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Ky i fundit është duke e ndjekur virtualisht rrjedhën e seancës, shkruan Fol Drejt.
Aktualisht po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të pestë, i cili po merret në pyetje nga ekipi mbrojtës. Seanca po mbahet e mbyllur për publikun.
Ndryshe, dëshmitari që mban numrin 10, ka dëshmuar edhe gjatë ditës së hënë ku ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës.
Ua kujtojmë se Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./FolDrejt/