Milazim Krasniqi njihet për kontributin e tij si profesor, ligjërues gazetarie e letërsie, si kolumnist, poet, romansier, dramaturg, publicist e komentues politik. Krasniqi, autor i shumë librave, së fundmi ka botuar vëllimin poetik Kujtimet luajnë me mua, që përbëhet nga katër cikle: “Bari i gjallë mbi varre”, “Njerëz, aktorë, maskarenj”, “Fëmijët e revolucionit” dhe “Peizazhet e barbarisë”. Poezi këto, ku dominante janë shpirtërorja, vetmia, koha, vdekja, bota e amshueshme e përjetësia si besim e ideal ekskluziv i poetit. Poezitë e Milazim Krasniqit janë derivuese të një shumësie përsiatjesh mbi lindjen, jetën e vdekjen, kujtimet e së kaluarës e botës së re që vjen.
Nga: Ardit MEHMETAJ
- Katër ciklet poetike të veprës
Autori poezitë e tij i ndanë në katër cikle, pra kemi numrin katër si simbolikë e katër stinëve, ndërsa katër stinët si metaforë e fazave jetësore: fëmijërisë, rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë. Kur lexojmë poezitë e këtyre katër cikleve duhet pasur parasysh kontekstin kohor kur janë shkruar. Është koha e pandemisë dhe e karantinimit, kur autori largohet nga qyteti e kthehet në vendlindje, ku kthimi në vendlindje përveç ndërrim hapësinor konkretisht për poetin, është edhe ndërrim kohor imagjinativ pasi autori përmes kujtimeve kthehet në kohë, kujton lojërat e fëmijërisë dhe njerëzit e tij të dashur që s’janë më. Pra, lexuesi përballet me një tranzicon shpirtëror të poetit dhe përpjekjes së tij për ta evokuar tashmë inekzistenten/ të kaluarën si parcialitet të periudhës së lumtur të jetës përmes reminishencave, sugjeruar qysh në titull.
Cikli i parë – Në ciklin e parë poetik të titulluar “Bari i gjallë mbi varre”, menjëherë goditës është vetë emërtimi i cili qëndron si oksimoron e paradoks në vetvete, pasi e kemi ballafaqimin e dy të kundërtave. Është e gjalla dhe e vdekura, e gjalla mbi të vdekurën, ku e para është jashtë, kurse e dyta brenda. Aq sa titulli, goditëse janë edhe poezitë e këtij cikli, ku përcjellëse është fryma se gjithçka në këtë botë i nënshtrohet një procesi evolutiv që lind, rritet e vdes. Poezitë janë të ndryshme, janë mahnitje të poetit me mrekullitë e krijimtarisë së Zotit, janë poezi atdhetare, janë poezi-kujtim siç janë dy poezitë e para kushtuar profesorit Basri Çapriqi. Poezitë e Milazim Krasniqit janë testament poetik siç pohon edhe ai vetë në vargun e tij Jeta e ka kuptue që në këtë botë mbetet vetëm rrëfimi[1]. Në poezinë “Bari i gjallë mbi varre” jepet eksluzivisht kuptimi i qëllimit të jetës si zbulim i misterit, ku zbuluesit e këtij misteri dëshirë të vetme e kanë të kthehen edhe njëherë në këtë botë tashmë duke e ditur se çdo gjë është krijim i Zotit. Në poezinë tjetër “Përse poetët vuajnë” kemi tipare të theksuara atdhetare, ku poeti fatin e tij e ka të lidhur ngushtë me atdheun, ku e merr shembull Boris Pasternakun, i cili e fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1958, por sipas Krasniqit poetëve Kush s’u ka faj që bëhen kumbonë[2], këtu kumbona del si metaforë e prijësit, prijatarit, udhëheqësit të tufës, i cili përveçse prijatar është edhe më i zëshmi. Pra, ky është poeti.
Poezitë e këtij cikli janë edhe poezi aktuale që ndërlidhen me konkreten siç është poezia “Kur i mbështetemi perëndisë”, ku autori e shpërfaq veten si ikanak nga pandemia Covid-19 që kishte kapluar botën. Këtu autori përmes ikjes së vet e shenjon të përgjithshmen, pra nëpërmjet metonimisë ku pjesa tregon tërësinë, se e gjithë bota ishin në ikje nga virusi Covid-19. Gjithashtu edhe tema është ambige, në sensin se sado që është konkrete në rastin tonë, përsëri universalizohet pasi bota ka pasur gjithnjë pandemi. Autori këtu megjithëse e quan veten ikanak, ai nuk i frikësohet pandemisë pasi është besimtar dhe beson se sëmundja dhe vdekja janë predestinim nga Zoti.
Autori në këto poezi i thur vargje fshatit dhe bukurive të tij (poezia: Këtu në botën e gjelbër), i thur vargje njeriut dhe jetës së tij si proces siç është rasti tek poezia “Vetmi e mirë”, ku ipet divergjimi i njeriut karshi botës që s’divergjon edhe aq, gjersa njeriu rritet e evoluon në pikëpamje. Është ky transformim i tij shkak i konceptimit të botës ndryshe, jo që divergjon kjo e dyta në vetvete, por divergjon në sytë e njeriut që ndërron pikëpamje për shkak të moshës e pjekurisë ndër vite.
Një poezi tjetër e cila është sa therëse, po aq kritike për të kaluarën, është poezia “Gardhi”. Kjo poezi godet një rast që ishte shndërruar thuajse në fenomen famëkeq me përhapje të madhe tek shqiptarët e që tregonte prapambeturi. Nisur prej titullit Gardhi, vërejmë një figurë e cila është shndërruar thuajse në figurë të patriarkatit, ku tregohet izolimi e fshehja që burrat donin t’ua bënin grave. Në këtë poezi janë dy antipode që sjellin konflikt.
Ajo ishte një luftë e gjatë
në të cilën gardhi e sytë e udhës
bënin fli shqiptarët.
Pra, është gardhi dhe sytë e udhës. Gardhi si konotacion i një kodi zakonor të prapambetur patriarkal, kurse sytë e udhës që nënkupton njerëzit që shikojnë matanë gardhit nga rruga.
Një poezi tjetër e cila është e pasur me biografema, si shumë të tjera të Krasniqit në këtë vepër, është poezia Kujtimet luajnë me mua. Tek kjo poezi autori shfaqet i mallëngjyer kur kujton shokët e fëmijërisë që dikur luanin me të, ndërsa sot kur të gjithë kanë ikur në amshim janë kujtimet të cilat i kanë zëvendësuar shokët dhe në vend të tyre luajnë me autorin. Në këto poezi rol kyç luan konteksti kur janë shkruar, rrethanat e karantinës, mosha e autorit ku kthehet e i shikon gjërat në retrospektivë, gjendja emocionale e tij, ku në bazë të këtyre elementeve e kemi edhe poezinë si reagim të tij.
Cikli i dytë – Në ciklin e dytë të veprës poetike “Kujtimet luajnë me mua” autori trajton figura të ndryshme e të shumta në poezi, duke i dhënë asaj natyrë përkushtuese si: Xhingis Kani, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha, Leka Zogu, Njutoni, Homeri, Paridi, Priami, Hektori, Akili, Odiseu, Neroni, Agripia, Oktavia, Ismail Qemal Vlora, Esat Pasha, Branko Merxhani, Skënderbeu, Viktor Emanueli, etj. Pjesë e këtyre poezive janë myslimanët e katolikët, janë enveristët, zogistët, ballistët, socialdemokratët, liberalët, madje edhe të parët tanë shqiptarë, ilirët. Pra, kryesisht këtu autori trajton njerëz e grupe njerëzish, vlerëson përmes poezisë e kritikon nëpërmjet saj.
Një poezi krejt e veçantë dhe unike është poezia “Hakmarrja në sytë e Homerit”, ku autori përmes poezisë e shpërfaq veten si lexues model dhe pikërisht nëpërmjet poezisë i bën analizë karaktereve të epit homerik: Paridi ishte i vërbuar nga pasioni/Priami nga patriarfilia/Hektori nga egoizmi/Agamemnoni nga ambicia e sëmurë/Akili nga urrejtja/Odiseu nga ligësia.[3] Po kaq unike e interesante janë edhe poezitë e tjera, p.sh tek poezia “Epitaf për Esat Pashën” autori e shfaq fatin e tradhtarit përmes figurës së Esatit, ose tek poezia “Taksisti japonez” autori jep mesazhin se njerëzit pavarësisht racës janë të njëjtë, bëjnë gjërat e njëjta, priren për të fituar pavarësisht mjeteve që përdorin pasi mbizotëruese tek kjo racë është egoja. Poezi tjetër interesante e këtij cikli është edhe “Intervista e pabotuar me Leka Zogun”, ku autori e kishte intervistuar Leka Zogun për mundësinë që ai të kthehej në fron, kurse përgjigjia e tij është epike pasi ai nuk donte të vinte në fron sepse do të shkaktonte gjakderdhje dhe i tillë froni do shndërrohej në ferr. Është kjo përgjigje madhështore e cila e shtyen autorin të shkruaj poezi për të dhe ta vlerësojë atë si mbret pa pushtet, por me dinjitet.
Cikli i tretë – Në ciklin e tretë të veprës që emërtohet “Fëmijët e revolucionit” autori shpërfaq sistemin komunist, sidomos atë titist, të cilin për një kohë të gjatë e kishte jetuar edhe vetë Krasniqi. Aty në pah del fytyra represive e sistemit duke piketuar situata: siç është burgosja e autorëve nga sistemi përmes redaktorëve të revolucionit e mësuesit e këtij sistemi që punësoheshin me dekret të partisë si mësimdhënës. Autori në këtë pjesë luan edhe me maksimen e famshme se revolucioni i ha bijtë e vet, duke thënë se nëse revolucioni nuk mund t’i hajë gjithë fëmijët e tij, janë ata që ia hajnë kokën revolucionit. Një poezi mjaft interesante në këtë cikël është edhe poezia “Publiku ishte aktor në teatrin popullor”, ku bëhet edhe shpërfaqja tipike e modelit inverz që prodhonte totalitarizmi titist, pasi në teatrin popullor nuk ishin aktorë ata që jepnin shfaqjen, por aktorët e vërtetë ishin publiku në sallë, ata aktronin me buzëqeshje, duartrokitje, shtirje të pafundme siç ndodh rëndom në sisteme të tilla autoritare. Publiku ishte aktor në teatrin popullor[4], janë vargjet në të cilat shpërfaqet lakuriq nënshtrimi i popullit, frika e tij, gjendja kulturore në sisteme të tilla e formalitetet mbytëse. Për Krasniqin aktrimi i popullit ishte arti i vërtetë që kishte prodhuar revolucioni komunist, ku poezia shumë lehtë mund të universalizohet dhe të shihet në kuptimin global se si populli shtiret se i do diktatorët e pushtetet e tyre me hierarki diktatoriale.
Cikli i katërt – Edhe në këtë cikël kemi poezi autobiografike siç është udhëtimi i autorit me tren nëpër Serbi, ose tek poezia “Çika Gjolle”, ku shqiptarët s’mund të hynin nga sigurimi serb në hotel Bozhur, por shoku i Krasniqit, Faruku, e gjen formulën duke i thënë Zdravo, Çika Gjolle, ku ai krenar që po e dëgjon emrin e tij i lejon të hyjë. Pra, kemi edhe poezi të tilla ku autori ironizon e parodizon me këtë sistem dhe me njerëzit e këtij sistemi. Në këtë cikël kemi edhe poezi nga lufta e fundit në Kosovë, ku paraqiten vuajtjet e autorit e të popullit, ikjet për në Bllacë e tmerrin që e pësuan nga agresori serb. Kurse, poezia e fundit është për shpërdoruesit e lirisë, ku trajton gjendjen e pasluftës, sistemin politik e shoqëror që ishte formuar, punët e këqija që bëheshin e korrupsionin e madh që ishte shndërruar në fenomen.
- Filozofia religjioze: impakti i saj në përfytyrimet poetike universale
Në poezinë e Milazim Krasniqit zë vend të veçantë edhe religjioni, kultura e trashëgimia islame, ku pjesë të poetikës së tij bëhen Krijuesi i gjithësisë (Allahu Mëshirëplotë), qyteti i shenjtë islam Meka, Dita e Kiametit, thirrja e ezanit e xhamia. Poezitë e tilla si: “Mizoria”, “Prashitësit e lumtur”, “Je humbës, kur nuk fiton aq sa mundesh” janë tipike meditative, ku poeti përsiat mbi ajetet kuranore dhe relevancën e tyre në arritjen e kënaqësisë shpirtërore. Në to autori nxjerr në sfond kalueshmërinë e kohës dhe përkohshmërinë e njeriut si qenie inferiore karshi predestinimeve hyjnore. Besimi në hyjnoren del si sinjifikim për besimin në diçka që ndodhet përtej njeriut, pra besim në një fuqi imanente që paraekziston e që në parabola letrare del edhe si vetë shpresë për gjetjen e paqes shpirtërore të qenies.
Në këto poezi autori kthehet në një kohë të largët për të na dhënë tabllonë e dashurisë së portretizur si diçka sublime, që motivon e madhështon të brendshmen në njeriun dhe për konsekuencë derivon edhe modelin e njeriut fisnik që çmon pasuritë e jetës në instancë. Në poezitë e këtij tipi filozofia religjioze merr përmasa të moralitetit universal sipas së cilit duhet të funksionojë njeriu, apo humanja si kategori që ndërvepron në ruajtjen e harmonisë midis njerëzve dhe botës rrjedhimisht.
- Stili në veprën poetike “Kujtimet luajnë me mua”
Autori Milazim Krasniqi shumë nga këto poezi i shkruan në katrenë, duke i rimuar me vargje të puthura, por gjithashtu kemi edhe sonete e forma të tjera të lira. Poezitë e tij janë plot figurë, ku mbizotëruese është figura e metaforës dhe metonimisë. Tek metafora kemi shembuj të shumtë: psh Poetët bëhen kumbonë[5], ku kumbona është metaforë e prijësit, udhëheqësit, e atij që ngre zërin i pari për probleme e çështje të caktuara. Metaforë tipike kemi edhe tek poezia “Ata ishin bandë barbarësh”, ku Krasniqi flet për shkrimtarët serbë që shtireshin si shkrimtarë, por në të vërtetë ishin paramilitarë: romanet t’i kthente në thika e shpata/mikrofonin ta kthente në snajper[6], këtu shprehjet thika, shpata e snajper janë vetëm metaforë që nënkuptojnë dhunën që e përmbajnë dhe e përçojnë romanet e tyre. Ndërsa, figurën e metonimisë e hasim për shembull në poezinë “Gardhi”, tek vargu Sytë e udhës ishin tinëzarë[7], ku sytë e udhës dalin si metonimi pasi janë vetëm pjesa që nënkupton tërësinë, pjesa që nënkupton njeriun dhe njerëzit matanë udhës. Në këto poezi e kemi edhe figurën e përsëritjes, ku përsëritja ka rol përforcues në vargje:
Plepa, plepa, plepa.
Shi, shi, shi.
Baltë, baltë, baltë.
Lotë, lotë, lotë.[8]
Pra, autori përmes përsëritjes e thekson idenë e vargut, në rastin kur thotë lotë, lotë, lotë, aty nënkuptojmë dendurinë e madhe të lotëve, vuajtjen e madhe të popullit që e kishte gjatë luftës. Dmth, përsëritja në këto vargje e masivizon tejmase gjendjen e keqe.
Autori në poezitë e tij krijon edhe fjalë të reja të cilat nuk i hasim në fjalorin shqip siç është fjala kotësipunë[9], që nënkupton punën e kotë dhe të pa vlerë që bëhet, ose fjalën tjetër plastmasë[10].
Pra, vepra “Kujtimet luajnë me mua” përbëhet nga një larushi e shumësi temash e motivesh, gjë që e pasurojnë edhe më shumë veprën. Në të kemi motivin e vdekjes, të vetmisë, motivin religjioz e të tjera. Kemi tema të shumta si tema e luftës, e vdekjes, revolucionit, sistemit, etj. Në të hasim figura të shumta publike e private (private në sensin se nuk janë njerëz të njohur për masën), kemi stil të rrjedhshëm e me figura të shumta stilistike. Vepra në këtë sens është unike dhe sjell risi në letërsinë tonë shqipe të pasluftës./FolDrejt/
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
[1] Krasniqi, Milazim: Kujtimet luajnë me mua, Logos A, Shkup, 2021, f. 13
[2] Po aty, f. 16
[3] Po aty, f. 72
[4] Po aty, f. 86.
[5] Po aty, f. 16.
[6] Po aty, f. 104.
[7] Po aty, f. 38.
[8] Po aty, f. 108.
[9] Po aty, f. 89.
[10] Po aty, f. 89.