Çfarë nuk do të bënte një lojtar për të mos humbur asnjë minutë nga videoloja e tij e preferuar. Ndoshta çdo gjë. Të paktën kështu ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dy agjentë policie janë pezulluar nga detyra, pasi injoruan lajmërimin për një grabitje për të vazhduar lojën me Pokemon Go, shkruan The Guardian.
Një juri e përbërë nga tre gjykatës të Gjykatës së Apelit në Kaliforni konfirmoi pushimin nga puna të dy agjentëve të policisë, pasi ata pretendonin se ishin pezulluar pa të drejtë nga detyra. Gjykata e apelit konfirmoi se ata injoruan lajmërimin për një grabitje me armë që po ndodhte, pasi ishin shumë të zënë për të kapur një Snorlaks, një krijesë mitologjike e lojës. Ata kanë vazhduar të luajnë për 20 minuta të tjera pas marrjes së lajmërimit dhe kërkesës për ndërhyrje.
Të dy agjentët e policisë mohuan se po luanin duke pretenduar madje se as nuk e dinin se çfarë ishte Pokemon. Por regjistrimet në automjetin e tyre të patrullimit zbardhën çdo gjë që kishte ndodhur./abcnews.al