Policia, në komunën e Leposaviqit, ka arrestuar dy shtetas të Serbisë të cilët dyshohet se përmes rrugëve ilegale kanë kontrabanduar mallra të ndryshme nga Serbia në Kosovë.
Rreth orës 05:30, njësitë policore kufitare nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu” në fshatin Koshuticë të Leposaviqit kanë ndaluar dy automjete të cilat drejtoheshin nga dy vozitës të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë.
Të njëjtit dyshohet se përmes rrugëve ilegale me automjete kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga territori i Serbisë duke kontrabanduar mallra të ndryshme.
Në njërin nga automjetet kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar produkte të qumështit dhe miellit, ndërsa në automjetin tjetër kishte farmerka, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë.
Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”Kontrabandim me mall”.
Malli dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.