Sipas njoftimit nga Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale, në orët e hershme të mëngjesit policia ka filluar sot një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit dhe bashkëpunim edhe me agjenci të tjera”, thuhet në njoftim.
IPK thekson se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasdites. /Telegrafi/