Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, gjatë ditës së djeshme arrestoi një person.
Policia ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare për media se në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike, përcjell Fol Drejt.
“Në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë.
Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme , në veçanti me abuzuesit e substancave narkotike”, njofton tutje policia./FolDrejt/