Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, të enjten, ka arrestuar dy persona për fajde.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të Policisë së Kosovës, ku thuhet se hetimet për këtë rast kanë nisur pas pranimit të disa informatave para disa muajsh.
“Hetuesit policorë gjatë trajtimit të rastit, ku janë përdorur edhe masat e fshehta të hetimit, kanë ardhur tek disa të dhëna ku dyshohet se dy të dyshuar F.D. (viti i lindjes 1979) dhe J.D. (viti i lindjes 1949), meshkuj kosovarë, i kanë ofruar një qytetari në etapa të ndryshme 226,000.00 (dyqind e njëzet e gjashtë mijë) €, me kamatë 30%, pra qytetari obligohej t’i kthente 294,000.00 (dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë) € të dyshuarve”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, në kuadër të veprimeve hetimore, të enjten, sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjilan, janë kontrolluar shtëpi dhe objektet tjera përcjellëse pronë e të dyshuarave të cilët janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
“Pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës, i dyshuari F.D është ndaluar për 48 orë, kurse i dyshuari J.D është liruar në procedurë të rregullt”, përfundon komunikata.