Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në vazhdën e kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore, si rezultat i angazhimeve në identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në veprat penale me narkotikë, ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar për kryerje të dy veprave penale.
Me datën 03.11.2022 rreth orës 18:00 DHTN-Prizren pas hetimeve intensive dhe punës operative në terren, në fshatin Grejkoc – Suharekë nga zyrtarët policorë është identifikuar një veturë e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar me iniciale L. R., i cili përkundër rezistencës së shfaqur kundrejt zyrtarëve policorë është arritur që të arrestohet, me ç’rast gjatë kontrollit të tij, tek i njëjti është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe një karikator i pistoletës, transmeton Fol Drejt.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit përmes të cilit është marrë urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e të dyshuarit të lartcekur.
Gjatë bastisjes së realizuar, përfshirë këtu edhe kontrollin e kryer në vendngjarje, janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
tre (3) fishekë kalibër i panjohur;
dy (2) peshore digjitale;
një (1) kovë plastike me substancë të dyshuar për narkotikë heroinë pesha 1403.96 gramë;
dy (2) aparate për vakumim;
një (1) rolle najloni për mbështjellje të substancave narkotike;
katёr (4) doza substancë të dyshuar narkotike lloji kokainë me peshë 2.076 gramë;
një (1) karikator me tre fishekë kalibër i panjohur;
para të gatshme në vlerё pesёqind (500) euro;
një veturë me targa vendore;
dy (2) telefona mobilë;
një (1) pistoletë ngjyrë e zezë pa karikator.
Në lidhje me rastin personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit të tij me urdhër të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë./FolDrejt/