Policia e Kosovës, konkretisht bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së antidrogës dhe asaj kundër krimeve ekonomike, ka rezultuar me një operacion të suksesshëm ku janë zbuluar dhe sekuestruar një shumë e parave të falsifikuara, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Fol Drejt.
Sipas këtij njoftimi, sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën se sot me datë 22.05.2023 rreth orës 16:30, gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave €uro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara.
Pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 €urove, gjithsej katër mijë e shtatëqind (4700) €uro, që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit i është lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4700 €urove.
Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.