Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë bërë një ushtrim fushor të quajtur “Veprimi i shpejtë”.
Ky ushtrim fushor është mbajtur në kampin “Vrella”, i cili u përcoll nga afër nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, stafi i lartë menaxhues në krye me drejtorin e përgjithshëm të PK-së, z. Samedin Mehmeti, kryesuesi i misionit të EULEX-it, Lars–Gunnar Wigemark, si dhe përfaqësues nga KFOR-i, të cilët ishin në cilësi të vëzhguesve.
“Përmes këtij ushtrimi fushor të quajtur ‘Veprimi i shpejtë’, Policia e Kosovës, me zyrtarët e saj të njësiteve speciale dhe të rendit publik dhe ato të njësiteve speciale nga EULEX-i, demonstruan aftësitë dhe shkathtësitë e tyre profesionale, në bashkërendim dhe komunikim të ndërsjellë, në rast të intervenimit dhe menaxhimit me situata të ndryshme në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Klankosova.tv.
“Duke realizuar trajnime dhe ushtrime të përbashkëta në nivele të ndryshme, po dëshmohet angazhimi dhe përkushtimi për të qenë profesionalë në veprimet e përbashkëta, të cilat kanë për qëllim ruajtjen e rendit publik, ofrimin e sigurisë ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallime”.
Me nga një fjalë rasti njësiteve policore dhe të pranishmëve iu drejtua drejtori i përgjithshëm, Mehmeti, dhe kryesuesi i misionit të EULEX-it, z. Wigemark, të cilët vlerësuan angazhimin dhe përkushtimin e njësiteve policore si mjaft profesionale, ku me këtë u dëshmua se Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë kapacitete dhe janë të gatshme në reagime dhe veprime policore në situata të ndryshme të menaxhimit me turma, ku synimi i përbashkët është ruajtja e rendit dhe sigurisë publike.