Përfaqësuesit e Listës Serbe sot morën vendim që të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Madje dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet.
E pas këtij vendimi dhe këtyre veprimeve, ka reaguar policia e cila tha se sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojnë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, sipas thanë ata në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues”.
“Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në njoftim.
Ata gjithashtu kanë bërë të ditur se policia nuk ka dërguar njësite speciale në veri të Mitrovicës,.
“Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media”, thuhet në njoftimin e policisë.