Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar edhe një rast të kontrabandës me mallra, shkruan Fol Drejt.
“Policia e Kosovës, Njësitet e Task-Forcës operative të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Lindje, pas pranimit të informatave nga terreni për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar, kanë ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, duke intensifikuar kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë dhe si rezultat i kësaj është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra.”, shkruan në njoftimin e policisë në Facebook.
Në komunikatë thuhet se sot më 13.04.2023 njësitë policore të kësaj task force kanë kryer vëzhgimin e rrugëve malore që lidhen nga Konquli-Serbi me fshatin Korminjan-Republika e Kosovës, ku rreth orës 19:30, në rrugë malore është ndaluar një traktor me rimorkio, i cili drejtohej nga personi i dyshuar m/serb, me iniciale( J.J), nga një fashat i komunës së Ranillugut.
Policia shtoi se gjatë kontrollit është vërejtur se kishte pasur të ngarkuara (20) arka të birrës “Tuborg”; (50) arka të birrës “Zajqevsko” dhe (2550) zogj (shpezë) të vegjël. Ndërsa ,alli dyshohet të jetë kontrabanduar nga territori i Serbisë dhe ishte futur ne Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale.
Raporti thekson se i dyshuari i lartcekur është arrestuar dhe është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit.
Në fund, policia konfirmoi se rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje në koordinim me prokurorinë përkatëse, Doganat e Republikës së Kosovës dhe AVUK-un. /FolDrejt/