Policia e Kosovës ka njoftuar se një automjet zyrtar i saj është sulmuar me armë zjarri në veri të vendit, raporton Fol Drejt.
“Me datën 27/01/2023, nga person/a të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveqanit”, shkruan në komunikatën e policisë në Facebook.
Policia theksoi se nuk raportohet për ndonjë zyrtarë policorë të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.
Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet tutje në njoftim.
Policia shtoi se automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe ekzaminuese.
“Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar”, shkruan në fund të komunikatës së policisë. /FolDrejt/