Policia e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar mbrëmë në qytetin e Pejës, me emrin “100 euro”.
Drejtori i drejtorisë për krime ekonomike dhe korrupsion, Bashkim Spahiu ka thënë se kjo drejtori në bashkëpunim me prokurorinë ka realizuar një plan operativ, e që ka rezultuar me sukses.
“Mbrëmë realizuam planin operativ për veprën penale falsifikim parash, e që ka rezultuar me 393 kartmonedha, që arrijnë vlerën e 39 mijë e 300 euro, për cka janë arrestuar dy persona të dyshuar. Realizimi i planit operativ është realizuar pas aplikimit të metodave të avancuara”, ka theksuar Spahiu.
Sipas tij, lidhur me operacionin janë kontrolluar dy lokacione që kanë rezultuar me konfiskimin e dy telefonave celular dhe një veturë.
“Të dyshuarit I.B i është shqiptuar masa e ndalimit 48 orë me vendim të prokurorit”, ka thënë tutje Spahiu.
Ai ka bërë të ditur se nga 1 janar deri më 15 shkurt 2019, drejtoria për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit ka iniciuar 45 raste, për të cilat hetuesit kanë paraqitur 50 kallëzime penale dhe janë arrestuar 15 persona.
“Në këto 50 kallëzime penale janë paraqit 80 persona të dyshuar për veprimtari të ndryshme penale”, ka përfunduar Spahiu.