Gjatë ditës së djeshme, subjekti politik serb në Kosovë, “Lista Serbe”, përmes një deklarate, tha se Milan Kovaçeviq u sulmua në Runik të Skenderajt, si pasojë e fushatës antiserbe nga Qeveria e Kosovës.
Në lidhje me këtë, këtë të hënë, ka reaguar Policia e Kosovës, ku tha se kjo është e pavërtetë, sepse sipas tyre, deri te fjalosja ka ardhur pasi i njëjti [Kovaçeviq] është shprehur se mashkulli kosovar me iniciale B.S. ia kishte dëmtuar pyllin.
“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, pas raportimit të rastit, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo hetimore, duke arrestuar personin e dyshuar si dhe duke intervistuar një dëshmitar të rastit dhe pas kompletimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës, pas paralajmërimeve për mbajtjen e referendumit serb edhe në Kosovë, ka thënë se situata ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.