Policia e Durrësit ka dhënë detaje për arrestimin e autorit që vendosi tritol në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës. I arrestuar për ngjarjen është Arlen Hasanaj. Sipas policisë 34-vjeçari dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së Dukës. Hasanaj akuzohet “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burime bëjnë me dije për ABC se është banor i lagjes dhe pronari i një biznesi në zonë. Mësohet se Hasanaj ka në pronësi një biznes bar kafe dhe market, Euroshop. Pak minuta pas ngjarjes Duka deklaroi se e ka parë autorin nga kamerat e sigurisë, i cili ishte shfaqur i maskuar me kapuç dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Njoftimi i plotë:
Durrës/Vihet në pranga autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.
Arestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al