Policia e Kosovës (PK) njofton se nga kontrolli i realizuar në dy lokacione të ndara në Prishtinë dhe Prizren, janë arrestuar një refer dhe një trjaner basketbolli, nën dyshimin për kurdisje të ndeshjeve.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se arrestimi i të dyshuarve u bë të premten, pasi Krimet Ekonomike zbatuan urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sektori i Hetimeve Financiare i DHKEK, më 30.06.2023 ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se të dyshuarit dyshohen se veprimet i kanë kryer në bashkëveprim me njëri-tjetrin.
“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli)”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material.
“Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit. Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, njofton Policia.
Tre të arrestuar në dy operacione të ndara në Prishtinë, Prizren dhe Pejë
Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) njofton se në dy operacione të ndara në tri rajone: Prishtinë, Prizren dhe Pejë, janë arrestuar tre persona.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se të arrestuarit janë të dyshuar për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve basketbollistike, andaj lidhur me rastin ka reaguar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), duke thënë se janë duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit.
“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media. Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA”, thuhet në njoftim.
FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpreson se do të dalin para drejtësisë personat e përfshirë në fenomene negative në sport. /BetimipërDrejtësi/