Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka dhënë detaje në lidhje me dy minatorët që humbën jetën dje në Minierën e Artanës si pasojë e shembjes së dheut.
Policia ka njoftuar se rreth orës 00:30 trupat e pajetë të dy minatorëve janë nxjerrë nga rrënojat e minierës, raporton Gazeta Express.
“Raportohet se në vendin e punës kanë humbur jetën dy minatorë meshkuj kosovarë, si pasojë e shembjes së dheut. Njësitet përkatëse janë duke punuar në drejtim të nxjerrjes së trupave të pajetë. Rreth orës 00:30 trupat e pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e minierës me ndihmën e FSK-së, Policisë dhe Minatorëve”, thuhet në raportin e Policisë.
Për shkak të shembjes së një guri të madh, ekipi i kërkim-shpëtimit e pati shumë të vështirë nxjerrjen e trupave të pajetë.
Prandaj, është dashur një operacion prej 14 orësh ku kanë qenë të përfshirë edhe ekipet e specializuara të FSK-së, Zjarrfikësve të Kosovës dhe KEK-ut.
“Duke i falënderua djemtë tanë të FSK-së, për mundin e paparë për ta thyer shkëmbin, si dhe ekipin e Mjekësisë Ligjore, trupat e dy minatorëve, u nxorën nga miniera”, ka shkruar në Facebook, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.