Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin në Mramor të Prishtinës ku hajnat kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës që transportonte paratë e një banke.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar rastin duke thënë se i njëjti ka ndodhur rreth orës 15:25, shkruan lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
“Ju njoftojmë se më datën 18.11.2021, rreth orës 15:25, kemi pranuar një informatë se në fshatin Parallovë, magjistralen Gjilan-Prishtinë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kombi të një kompanie, i cili ka qenë duke transportuar para të bankave”, ka thënë Hashani.
Më herët mediat raportuan se rasti ka ndodhur në fshatin Mramor, mirëpo që Policia konfirmon tani se ngjarja ka ndodhur në fshatin Parallovë.
Po ashtu, ende nuk ka konfirmim zyrtar nëse hajnat kanë arritur të marrin paratë apo nëse ka të lënduar.